Java Rome dhe Dita Botërore e Shëndetit
Për herë të parë në sheshin George W. Bush të Fushë Krujës u organizua një aktivitet kushtuar Javës Rome dhe Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit nga organizata ADRA Albania. Ky aktivitet u zhvillua jo vetëm për të festuar kulturën Rome por edhe për të ndërgjegjësuar opinionin publik të Fushë-Krujës në lidhje me diskriminimin që komuniteti Rom përballet në çdo fushë të jetës si edhe për të informuar qytetarët mbi trashëgiminë dhe kulturën e komunitetit Rom.
Aktiviteti u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Bashkinë e Fushë-Krujë, Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Publik Krujë, Kryqin e Kuq dhe organizatën Albanian Community Association.
Qytetarët u njohën nga afër me veshjet tradicionale Rome të cilat u prezantuan nga gratë e komunitetit Rom që ishin të pranishme në këtë aktivitet. Vajzat Rome e përçuan me tej atmosferën e festës dhe kulturës së tyre duke kërcyer nën ritmet e muzikes tradicionale Rome. Një qytetar i Fushë-Krujës i pranishëm në këtë aktivitet u shpreh “Sot për herë të parë vura re se Romet kanë një kultur të bukur dhe të veçantë dhe sugjeroj që kjo ditë të kthehet në një traditë për qytetin e Fushë-Krujës”.
ADRA Albania në kuadër të projektit të saj rajonal “Love Your Heart” të financuar nga IPA Adriatic Cross Border Program dha disa këshilla mjekësore për stilin e jetesës së shëndetëshme. Gjithashtu qytetarët Rom iu bashkuan motos se Kryqit të Kuq “Të dhurosh gjak shpëton një Jetë”, disa prej tyre dhuruan gjak dhe u shprehën të lumtur që gjesti i tyre mund të shpetojë jetën e një personi tjetër.
Aktiviteti u mbyll me një marshim paqësor nga qëndra e Fushë-Krujës në drejtim të komunitetit Rom. Në marshim ishin të pranishëm jo vetëm anëtarët e komuniteti Rom por edhe qytetarë nga Fushë-Kruja.